Future Hospitality Forum: AIDA ura lidhëse mes potencialit turistik të Shqipërisë me investimet ndërkombëtare

Edicioni i parë i Future Hospitality Forum në Tiranë bashkoi zhvillues vendas, investitorë dhe marka globale të hotelerisë, me fokus partneritetet, cilësinë e mikpritjes dhe zhvillimin e destinacionit.

Oct 6, 2026 - 10:14
 0  94
Future Hospitality Forum: AIDA ura lidhëse mes potencialit turistik të Shqipërisë me investimet ndërkombëtare

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) organizoi më 2 tetor, në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë, edicionin e parë të Future Hospitality Forum 2026. I konceptuar si një platformë investimi dhe partneriteti, aktiviteti bashkoi zhvillues shqiptarë të projekteve turistike, investitorë, përfaqësues institucionesh dhe marka ndërkombëtare të hotelerisë, duke krijuar hapësirë për bashkëpunime në një sektor me rëndësi strategjike për ekonominë shqiptare.

Organizimi i forumit solli në të njëjtën tryezë ofertën vendase për zhvillim dhe ekspertizën ndërkombëtare të mikpritjes. Përmes prezantimit të mbi 100 projekteve shqiptare dhe takimeve B2B, u krijuan mundësi për të shqyrtuar partneritete në turizmin urban, bregdetar, malor dhe natyror. Modelet e bashkëpunimit të prezantuara përfshinin kontrata menaxhimi, franshize dhe qiraje, duke u ofruar zhvilluesve alternativa për operimin dhe pozicionimin e projekteve të tyre.

Diskutimet e forumit e zgjeruan vëmendjen përtej investimit në struktura akomoduese. Programi trajtoi përvojat e markave globale, perspektivën e investimeve të reja dhe kushtet që mbështesin zhvillimin e industrisë: kapitalin njerëzor, inovacionin, qëndrueshmërinë financiare dhe bashkëpunimin publik e privat. Kjo qasje e vendos hotelerinë në marrëdhënie me të gjithë destinacionin dhe me shërbimet që përcaktojnë përvojën e vizitorit.

Gjatë fjalimit të tij kreu i qeverisë z.Edi Rama tha së edhe pse rritja e shifra vjetore e turistë në vend ka shkuar nga 2 në 12 milionë në 5 vitet e fundit, tashmë ‘detyra jonë është të rrisim urgjentisht cilësinë e turizmit”

Në këtë kontekst, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi rëndësinë e krijimit të më shumë vlere nga çdo vizitë, përmes cilësisë së shërbimit, menaxhimit, teknologjisë dhe përvojave që nxisin qëndrime më të gjata. Sipas perspektivës së paraqitur prej saj, të ardhurat nga udhëtimet ndërkombëtare mund të arrijnë rreth 8,5 miliardë euro deri në vitin 2030, nëse rritja e vizitorëve shoqërohet me rritjen e vlerës së gjeneruar nga çdo udhëtim.

Ndërsa ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, z. Blendi Gonxhja, theksoi se suksesi i një destinacioni matet përmes cilësisë së përvojës së vizitorëve, kohëzgjatjes së qëndrimit, dëshirës për t’u rikthyer dhe vlerës që krijohet për ekonominë vendase. Ai nënvizoi se zhvillimi i qëndrueshëm kërkon që cilësia e ofertës të ecë paralelisht me rritjen e kërkesës, ndërsa investimet në infrastrukturën e mikpritjes duhet të shoqërohen me investime po aq të rëndësishme në kapitalin njerëzor.

Për industrinë turistike, partneritetet me operatorë ndërkombëtarë mund të sjellin përfitime që shtrihen nga standardet e shërbimit dhe formimi profesional, te aksesi në rrjete të reja shitjeje dhe promovimi. Të lidhura me gastronominë, kulturën, natyrën dhe furnitorët vendas, këto investime mund të forcojnë njëkohësisht konkurrueshmërinë e destinacionit dhe pjesëmarrjen e ekonomisë lokale në zhvillimin e tij.

Me këtë edicion të parë, AIDA krijoi një pikë takimi mes projekteve shqiptare dhe partnerëve potencialë ndërkombëtarë. Rëndësia e Future Hospitality Forum qëndron te mundësia për t’i dhënë vijimësi këtij dialogu përmes bashkëpunimeve konkrete, që përmirësojnë ofertën turistike dhe ndërtojnë vlerë afatgjatë për Shqipërinë si destinacion.

TravelBiz.al

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow