Prezantohet “Guida e Ekselencës Turistike Shkoder 2026”, një botim i dedikuar promovimit të destinacionit
“Guida e Ekselencës Turistike Shkodër 2026” është më shumë se një guidë. Ajo është konceptuar si një platformë promovimi, një pasqyrë e zhvillimit të turizmit dhe një ftesë për të zbuluar Shkodrën përmes historive dhe njerëzve që po e ndërtojnë të ardhmen e saj.
SHKODËR – Pas suksesit të edicionit të parë të Shkodra Tourism Awards, iniciativa që vlerësoi ekselencën në industrinë e turizmit në qarkun e Shkodrës, vjen një tjetër hap i rëndësishëm në promovimin e destinacionit: “Guida e Ekselencës Turistike Shkodër 2026”, botimi i parë editorial që synon të promovojë potencialin turistik të rajonit në një format profesional dhe afatgjatë.
E realizuar me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, guida përfaqëson vazhdimësinë natyrore të projektit Shkodra Tourism Awards, duke e zgjeruar misionin e tij nga vlerësimi i ekselencës drejt promovimit të destinacionit dhe aktorëve që po kontribuojnë në zhvillimin e turizmit.
Shkodra ka një histori për të treguar, një kulturë për të përjetuar dhe një mikpritje që mbetet gjatë në kujtesë. Këto vlera janë në qendër të këtij botimi, i cili sjell në një publikim të vetëm destinacionet turistike, strukturat akomoduese, gastronominë, agroturizmat, atraksionet natyrore e kulturore, eventet dhe historitë e sipërmarrjeve që po ndërtojnë standarde të reja në mikpritjen shqiptare.
Në një kohë kur Shkodra po konsolidohet si një nga destinacionet me rritjen më të shpejtë turistike në vend, Guida e Ekselencës Turistike Shkodër 2026 synon të shërbejë si një referencë për vizitorët vendas dhe ndërkombëtarë, operatorët turistikë, investitorët dhe institucionet, duke promovuar në mënyrë të organizuar ofertën turistike të rajonit.
Ndryshe nga një guidë tradicionale, botimi kombinon informacionin praktik me përmbajtje editoriale, reportazhe, intervista dhe histori suksesi, duke krijuar një panoramë të plotë të zhvillimit të turizmit në Shkodër. Ai dokumenton jo vetëm vendet që duhen vizituar, por edhe njerëzit, sipërmarrjet dhe projektet që po i japin identitet dhe vlerë këtij zhvillimi.
Guida e Ekselencës Turistike Shkodër 2026 synon të jetë një botim periodik, që do të pasqyrojë evolucionin e sektorit turistik dhe do të promovojë cilësinë, inovacionin dhe bashkëpunimin ndërmjet aktorëve të industrisë. Si vazhdimësi e Shkodra Tourism Awards, ajo përforcon misionin e nismës për të promovuar jo vetëm bukuritë natyrore dhe trashëgiminë kulturore të rajonit, por edhe standardet e larta të shërbimit dhe mikpritjes që po e pozicionojnë Shkodrën si një destinacion gjithnjë e më konkurrues në tregun turistik.
“Guida e Ekselencës Turistike Shkodër 2026” është më shumë se një guidë turistike. Ajo është vazhdimësia e një vizioni që synon ta promovojë Shkodrën si një destinacion ku ekselenca nuk është përjashtim, por standard.
What's Your Reaction?


