Nga Imazhi te Destinacioni: Turizmi fillon nga menyra se si prezantohemi
Sot turisti zgjedh destinacionin në pak sekonda përmes një fotografie një komenti apo një rekomandimi. Kjo do të thotë se imazhi është aset strategjik. Nuk improvizohet, por ndertohet!
Turizmi nuk është thjesht një industri. Është perceptim. Është ndjesi. E mbi të gjitha është Imazh.
Pas tre dekadash në trajtimin e imazhit dhe komunikimit publik, kam arritur në një përfundim të thjeshtë: destinacionet nuk konkurrojnë me bukuri natyrore, ato konkurrojnë me perceptimin. Në turizëm, realiteti ka vlerë vetëm kur di të prezantohet. Një destinacion mund të ketë male, liqen, histori dhe gastronomi të jashtëzakonshme, por pa një strategji të qartë marketingu ai mbetet thjesht potencial.
Shkodra ka kaluar vitet e fundit një fazë transformimi. Rritja e frekuentimit turistik, investimet e reja dhe diversifikimi i ofertës janë tregues pozitivë. Por zhvillimi i qëndrueshëm kërkon më shumë sesa rritje numerike. Kërkon standart. Kërkon vizion. Kërkon koordinim mes sektorit privat dhe institucioneve.
Për më shumë se 30 vite kam punuar me brande, institucione dhe projekte që kërkojnë pikërisht këtë: të strukturojnë perceptimin dhe ta kthejnë atë në avantazh konkurrues. Në turizëm, kjo do të thotë të krijosh jo vetëm fluks vizitorësh, por reputacion. Turizmi ka hyrë në një fazë të re. Një fazë ku cilësia, identiteti dhe marketingu profesional duhet të ecin paralelisht. Sepse vetëm kështu ndërtojmë jo thjesht një sezon turistik të suksesshëm, por një markë destinacioni afatgjatë.
©Gentian Ferhati | Ekspert i Marketingut, Medias dhe Zhvillimit të Imazhit Turistik
What's Your Reaction?


