Tirana, kryeqyteti qe po zhvillohet me ritme te shpejta. Veliaj prezanton projektet e reja ne mbledhjen e keshillit bashkiak - travelBIZ
Në mbledhjen e sotme të këshillit bashkiak, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj prezantoi disa nga projektet që do t’i shtohen kryeqytetit, mes tyre Teatri i Ri, rehabilitimi i Kopshtit Botanik, stadiumi i ri “Selman Stërmasi”, apo edhe Muzeu i Tiranës.
Ai tha se do të bëhet një përurim zyrtar i Piramidës, e cila do të jetë qendra më e madhe e teknologjisë së inovacionit dhe digjitalizimit jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë rajonin.
“Kemi disa projekte të reja të qytetit dhe njëri prej tyre është stadiumi i ri “Selman Stërmasi”. Sporti ka marrë, jo vetëm prej Tiranës Qyteti Europian i Sportit, por vitet e fundit i kemi dhënë një impuls të jashtëzakonshëm”, evidentoi Veliaj.
“Mjafton të shikojmë nivelin e medaljeve dhe cilësisë së sportistëve, qartazi ka qenë një para e shpenzuar mirë nga Bashkia e Tiranës. 90% e ekipit tonë Olimpik janë të bashkisë së Tiranës, nga Sport Club Tirana. Ka ardhur koha që aty të kalojmë nga një ngrehinë ku ka agjenci udhëtimi apo lojëra elektronike, në një aset për Tiranën. Ka ardhur koha që Tirana të ketë një muze të artit modern, Galeria Kombëtare është në rikonstruksion. Kemi konceptuar një tokë që është në fund të Bulevardit të Ri, kurse Muzeu i Tiranës është konceptuar te ‘Sarajet’. Ne mund të kemi bindje të ndryshme, por ligji thotë se vetëm Instituti i Monumenteve të Kulturës i shpall monumentet e kulturës. Mund të kemi bindje politike, mund të bëjmë debatet tona, por ose është ose nuk është monument kulture, nuk mund të jetë me dëshirë e me pasion, është me ligj e me një komision. Kemi edhe ‘Sarajet’, kur për herë të parë në bashkinë e Tiranës kemi akorduar një fond për t’i blerë këto ndërtesa, ashtu siç bëmë me shkollën ‘Kosova’, me ‘Sarajet’, e kështu bëmë me ndërtesën e Libohovitëve. Ndërtesa e Libohovitëve si investim do t’i kalojë Ministrisë së Kulturës, kjo do të thotë që nuk kemi detyrime financiare. Tek ‘Sarajet’ është bashkia e Tiranës ajo që do të bëjë investimin”, tha Veliaj.
Ndërkohë, ai shtoi edhe disa projekte të tjera.
“Duam që të reflektohet në buxhet edhe Qendra e Konventave dhe Ekspozitave. Kemi bërë një garë ku është shpallur fitues Maksimiliano Fuksas. Me aq evente sa ndodhin këtu, me aq aktivitete sa ndodhin këtu, Pallati i Kongreseve sot është i ezauruar. Ne duam që në skajin tjetër të Tiranës, tek Bulevardi i Ri, të kemi qendrën e re të Konventave e Ekspozitave”, tha Veliaj.
“Jemi në proces gjyqësor, të cilit po i vjen fundi, për Kopshtin Botanik. Unë besoj se prova se çfarë mund të bëjmë dhe çfarë potenciali ka Kopshti Botanik, përtej bindjeve politike, është vetëm 100 metra larg nga Kopshti Zoologjik, nga një kopsht zoologjik kur dikur luani hante patate dhe ujku ishte me depresion në ato pllakat e çimentos, kurse sot jemi në një hapësirë didaktike, ku kemi edhe klasa për fëmijët, një parkim nëntokë për komunitetin, janë shtuar specie që ne nuk i kemi pasur më parë. Jemi në pritje të finalizimit të atij procesi. Stadiumi i lojërave me dorë “Asllan Rusi” është një ngrehinë e kohës së Italisë, ka qenë hangar avionësh. Propozimi që kemi është që, edhe aty të bëjmë një ndërhyrje e ta kthejmë vërtet në një arenë të basketbollit e volejbollit, ashtu siç i ka hije një qyteti evropian si Tirana”, tha kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
What's Your Reaction?