Shkodra, mes kulturës, eventeve dhe turizmit - TravelBIZ
Një rrëfim editorial mbi zhvillimin turistik në Bashkinë Shkodër dhe vlerësimin në Tea Awards
Zhvillimi i turizmit në Bashkinë Shkodër po merr gjithnjë e më shumë formën e një vizioni të qartë: ta kthejë qytetin dhe territorin përreth në një destinacion të plotë, ku natyra, kultura, eventet dhe mikpritja bashkohen në një ofertë të qëndrueshme për vizitorët.
Shkodra nuk është më vetëm një pikë ndalese në itineraret turistike. Ajo po pozicionohet si një qytet që ofron eksperiencë: nga trashëgimia historike dhe jeta kulturore, te Liqeni i Shkodrës, Shiroka, Zogaj, Velipoja, Thethi, Razma dhe zonat e tjera që e bëjnë këtë bashki një nga territoret më të pasura turistike në vend. Shkodra ka potencialin të jetë jo vetëm një destinacion sezonal, por një qytet turistik aktiv gjatë gjithë vitit. Sfida mbetet që kjo rritje të shoqërohet me cilësi, standarde, kujdes ndaj identitetit lokal dhe bashkëpunim të vazhdueshëm mes të gjithë aktorëve të sektorit. Vleresimi ne eventin e organizuar nga Agjencia Kombëtare e Turizmit më 26 Maj, TEA AWARDS, konfirmon rezultatin e një energjie të re që po ndihet në qytet: më shumë aktivitete, më shumë vëmendje ndaj hapësirave turistike, më shumë promovim dhe një përfshirje gjithnjë e më e madhe e bizneseve, komunitetit dhe institucioneve lokale.
Vlerësimi i Bashkisë Shkodër në TEA Awards 2026 me çmimet City of Art Fest, TEA’s Most Desirable Art Fest dhe City of Festivals & Concerts, konfirmon rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të qytetit në zhvillimin e turizmit kulturor, eventeve dhe promovimit të destinacionit.
Ky sukses nuk përfaqëson vetëm një moment krenarie për atë që është arritur deri më sot, por edhe një shtysë për të ardhmen e Shkodrës si destinacion më i organizuar, më i dukshëm dhe më i denjë për potencialin e jashtëzakonshëm që mbart. Siç është shprehur kryetari i Bashkisë Shkodër, z. Benet Beci, “ky vlerësim e vendos Shkodrën në qendër të hartës së zhvillimeve turistike dhe kulturore, duke e afirmuar gjithnjë e më shumë si një pikë referimi për Shqipërinë dhe rajonin”.
What's Your Reaction?


