Durresi, plazhi me i frekuentuar ne Shqiperi nga turistet vendas dhe te huaj . Arsyeja?! - travelBIZ

Jul 19, 2023 - 17:07
 0  316
Durresi, plazhi me i frekuentuar ne Shqiperi nga turistet vendas dhe te huaj . Arsyeja?! - travelBIZ

Turistët shqiptarë e të huaj vlerësojnë maksimalisht Durrësin si një destinacion turistik të pastër, me shërbim shumë të mirë, çmime të arsyeshme dhe siguri.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një video me mendimet e disa prej turistëve vendas dhe të huaj që pushojnë në Durrës.

“Durrësi turistik, një kantier me të reja të mirëpritura edhe këtë vit, ku pushuesit e huaj dhe vendas ndjehen të mikpritur çdo vit e më mirë”, shkruan Rama.

Një shtetas amerikan i cili ka zgjedhur Durrësin për të pushuar u shpreh se fillimisht këtë ia rekomanduan miqtë e tij.

“Më thanë se këtu është shumë bukur. Shëtitorja e re ishte fantastike dhe plazhi është shumë i pastër dhe shumë i këndshëm. Kështu që më pëlqen shumë këtu, ka qenë fantastike. Sigurisht që do të kthehem sërish, madje do të sjell dhe miqtë e mi të kënaqen”, tha ai.

Një tjetër pushues u shpreh se ka disa vjet që vjen në plazhin e Durrësit dhe ndjehet shumë mirë.

“Kushtet janë shumë të mira. Sivjet ka një ndryshim të jashtëzakonshëm, është bërë plazh elitar plazhi i Durrësit. Me shëtitoren e re jemi shumë të kënaqur, sepse i ka dhënë tjetër pamje. Kam gocën me fëmijët dhe dalim shëtisim pasdite, pra ka kushte ideale”, tha ai.

“Përfundimisht Durrësi ngelet destinacioni më i mirë për familjarët. Hapësira publike të këndshme, shëtitorja një mrekulli. Plazhi shumë i pastër, ushqimi dhe shërbimi shumë i mirë. Durrësi ngelet destinacioni përfundimtar për familjarët”, tha një tjetër pushues.

Një turiste franceze u shpreh se ka rezervuar një javë pushime me një çmim shumë të lirë.

“Ishte shumë me leverdi. Kushërira ime më ftoi që të vija me pushime dhe më tha ‘mbase mund të shkojmë në Shqipëri, se vajza ime më ka folur për Shqipërinë’. Kështu ne kërkuam dhe thamë pse jo shkojmë atje. Na pëlqen shumë këtu, hoteli është me vendndodhje shumë të mirë, ndodhet përball detit”, tha ajo.

“Sivjet na ka pëlqyer shumë se na kishit bërë këtë bulevardin aq bukur sa jam shumë e kënaqur me këtë”, tha një tjetër pushuese.

Një turiste polake u shpreh se për fëmijët është një plazh shumë i mirë. “Koha është shumë e mirë, jemi nga Polonia. Kështu që ne kalojmë shumë kohë në plazh, gjithashtu bëjmë ecje rreth 15 km në ditë, kalojmë mirë. Kur të bëhem gjyshe do të kthehem këtu sepse për fëmijët ishte një vend shumë i mirë”, tha ajo.

Një turist holandez vlerësoi se organizimi si dhe shëtitorja e re janë shumë mirë. “Shoh shumë gjëra të mira këtu. Po pres një mik nga Gjermania të vijë”, tha ai.

“Durrësin e kam zgjedhur se jam më afër dhe kam qenë këtu të paktën 20 vjet. Është përmirësuar shumë. Ndryshimi që vë re nga vjet me sivjet është kjo pista që e kanë bërë shumë të bukur. Rëra është shumë mirë. Kam parë edhe plazhin e Marsejës, nuk ishte më i bukur se ky”, tha një tjetër pushues.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow