Rama: Shqipëria pjesë e 25 eksportuesve kryesorë në rang botëror, 5.64 miliardë lekë eksporte nga bimët mjekësore
Kryeministri Edi Rama përshëndeti sot punimet e konferencës së katërt kombëtare të industrisë së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike, ku theksoi se, “në këtë industri janë mbështetur 1086 projekte nga ana e qeverisë për një sipërfaqe totale që është rreth 2400 hektarë”.
Po ashtu, sipas tij, “janë mbështetur me grante të qeverisë 16 investime të rëndësishme, si dhe janë edhe 11 investime të tjera që i shtohen këtyre 16 investimeve që janë mundësuar nga kanalizimi në këtë industri i fondeve të IPARD-it, programit të Mbështetjes Europiane përmes Agjencisë të Zhvillimit Bujqësor dhe Rural”.
Rama u shpreh se, këtu është baza e një industrie të së ardhmes dhe Shqipëria bën pjesë në grupin e 25 eksportuesve kryesorë të bimëve mjekësore dhe aromatike në rang botëror, edhe pse ka një territor krahasimisht të vogël për sasinë e prodhimit.
“Ajo çka e gjithë bota ka bërë deri më sot me mbledhjen dhe përpunimin e bimëve mjekësore aromatike është vetëm fillimi i një transformimi të jashtëzakonshëm në vitet që vijnë dhe për sa i përket xhiros së kësaj industrie që sot është në shifra të mëdha, botërisht flas, xhiroja parashikohet të rritet në mënyrë eksponenciale në vitet dhe në dekadat që vijnë”, theksoi ai.
Kryeministri theksoi se, edhe në Shqipëri ka pasur një hop të rëndësishëm sasior dhe cilësor të kësaj industrie.
“Besoj që kemi ditur ta mbështesim, duke mbështetur aktorët më premtues dhe duke ndihmuar në krijimin e shembujve që pastaj kanë frymëzuar dhe tërhequr pas edhe të tjerë. Faktikisht, sot jemi në kushtet kur kemi një sasi jo të vogël të prodhimit të bimëve aromatike mjekësore dhe një sipërfaqe prej pak më shumë se 7000 hektarësh të mbjellë dhe të kultivuar me këto bimë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi po ashtu se, “bimët mjekësore aromatike hyjnë në zërat e eksporteve bujqësore me një peshë goxha të rëndësishme, 5.64 miliardë eksporte”.
Sipas tij, “jemi një vend që eksporton kryesisht në eurozonë”. Rama tha se, rreth 70 % e eksporteve shkojnë në eurozonë.
“Ne jemi shumë të vetëdijshëm për potencialin, ashtu sikundër jemi shumë të vetëdijshëm për faktin që kjo është një industri, e cila krijon punësim të mirëpaguar, gjithmonë e më të mirëpaguar për hir të vërtetës dhe normal, sepse bëhet fjalë për një punë jo të lehtë, është një punë e mundimshme, por ama garanton shumë familje, sidomos në zonën e veriut, që përfshihen në rrjetin e kultivimit dhe grumbullimit të bimëve aromatike-mjekësore”, tha ai.
What's Your Reaction?