Tirana ne syte e mi! Çfarë duhet të vizitoni patjeter në Tiranë?

Feb 22, 2023 - 09:31
Mar 3, 2023 - 19:50
 0  343
Tirana ne syte e mi! Çfarë duhet të vizitoni patjeter në Tiranë?

Sheshi ”Skënderbej” është zemra e kryeqytetit shqiptar. I rinovuar tërësisht në vitin 2017, është një drejtkëndësh i madh prej 24 000 metrash katrorë me një mozaik gurësh natyrorë nga të gjitha trojet historikisht shqiptare, madje edhe ato që ndodhen përtej kufijve kombëtarë.

Plotësisht i pedonalizuar, alternon stolat me sipërfaqe të gjelbra. Në qendër është monumenti ekuestrian prej bronzi i Skënderbeut, i vendosur me rastin e 500-vjetorit të vdekjes.

Disa nga ndërtesat më të rëndësishme historike të qytetit kanë pamje nga sheshi, përkatësisht Xhamia e Et’Hem Beut, me dekorime të mrekullueshme me lule nga brenda, Opera, Pallati i Kulturës, Banka e Shqipërisë dhe Muzeu Historik Kombëtar. Për të admiruar sheshin në tërësi, idealja është të ngjiteni në majën e Kullës së Sahatit, që ndodhet pas xhamisë.

Muzetë

Në dhomat e Muzeut Historik Kombëtar, i cili shquhet për mozaikun plot ngjyra në fasadë, në tetë pavionë të mëdhenj rrëfehet historia e Shqipërisë nga Paleoliti deri në ditët e sotme.

Pak metra më tutje, Bunk’Art2 është vendi ideal për të mësuar më shumë për historinë e Shqipërisë komuniste gjatë viteve të diktaturës së Enver Hoxhës. I inauguruar në vitin 2016, muzeu i kushtohet viktimave të regjimit dhe është i ndërtuar brenda një bunkeri antiatomik, prapa Ministrisë së Brendshme, midis viteve 1981 dhe 1986 për të strehuar personelin e Ministrisë në rast të një sulmi të mundshëm bërthamor. Sot në dhomat e tij janë ekspozuar imazhe historike, aksesorë dhe objekte që rrëfejnë ngjarjet e ndodhura në Shqipëri deri në vitin 1991.

Një tjetër vend për t’u vizituar është Shtëpia e Gjetheve, një qendër ekspozite kushtuar veprimtarisë së policisë sekrete dhe spiunazhit gjatë viteve të diktaturës, e cila në vitin 2020 fitoi Çmimin Muzeor të Këshillit të Evropës.

Nga ana tjetër, Galeria Kombëtare e Arteve ka një koleksion të pasur me vepra të piktorëve shqiptarë nga fundi i shekullit XIX deri në vitet 2000. Përpara ndërtesës ndodhet ”Reja”, një strukturë e bardhë që i ngjan një reje për shkak të pamjes së saj, vepër e artistit japonez Sou Fujimoto.

I vendosur në periferi të qytetit, Bunk’Art1 është një muze i ndërtuar brenda bunkerit më të madh anti atomik në Shqipëri. Bunkeri ishte projektuar për të strehuar diktatorin Enver Hoxha dhe drejtuesit kryesorë të Partisë në rast të një sulmi bërthamor, megjithëse nuk u përdor kurrë për këtë qëllim. Sot, në mbi 100 dhoma rrëfehet historia e vendit të shqiponjave, nga pushtimi fashist e deri te komunizmi.

Së fundi, Muzeu Arkeologjik, i pari muze i hapur në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore, strehon mbi 2 000 zbulime arkeologjike të gjetura në territorin shqiptar.

Qendra Botërore Bektashiane.

Pavarësisht sundimit të gjatë osman dhe më pas shpalljes së ateizmit shtetëror gjatë diktaturës së atëhershme komuniste (me pasojë ndalimin e praktikimit të feve), Shqipëria është sot një shtet laik tolerant ndaj të gjitha besimeve.

Në territorin e saj jetojnë myslimanë, të krishterë ortodoksë, të krishterë katolikë, hebrenj dhe bektashinj dhe ndodh shpesh që përfaqësues të komuniteteve fetare të takohen në ngjarjet dhe festat e tyre përkatëse.

Tirana është shtëpia e Qendrës Botërore Bektashiane, një vend i arritshëm për këdo që dëshiron të zbulojë një vend jashtë radarit në kryeqytetin shqiptar. Teqeja, e përfunduar në shtator 2015, është e stolisur me mozaikë mermeri shumëngjyrësh hipnotik dhe në bodrum është vendosur një muze interesant, fatkeqësisht me informacion vetëm në gjuhën shqipe, në dhomat e të cilit rrëfehet historia e vëllazërisë islame me prejardhje sufi, e themeluar në shekullin XIII.

Monumentet

Në Tiranë ndodhet edhe Xhamia e Madhe, e cila do të inaugurohet së shpejti pas shumë vitesh punë, Katedralja e Ngjalljes së Krishtit, e ritit ortodoks, struktura e tretë më e madhe e këtij lloji në gadishullin ballkanik dhe Katedralja e Shën Palit e ritit katolik.

Ndër pikat e tjera me interes në qytet janë Ura e Tabakëve, Piramida, një ndërtesë e madhe prej betoni të përforcuar e ndërtuar si mauzoleumi i diktatorit Enver Hoxha, i përdorur më vonë si bazë e NATO-s gjatë luftës në Kosovë. Më pas u bë një klub nate, një qendër ekspozite dhe një pikë takimi për të rinjtë nga Tirana. Aktualisht është në fokus të një projekti rinovimi që do ta shndërrojë atë në një qendër të rëndësishme kulturore, shkencore dhe teknologjike në Ballkan.

Parqe dhe kopshte

”Tajvani” është një zonë rekreative me një bar, restorant, pistë bowling dhe një nga këndet më të mëdha të lojërave në qytet, i frekuentuar nga familje me fëmijë. Megjithatë, vendi i preferuar i banorëve të Tiranës për të shëtitur dhe marrë të vegjlit për të luajtur është Parku i Madh, mushkëria e gjelbër e kryeqytetit, ku ndodhet edhe një liqen i madh artificial.

Falë aktiviteteve të shumta në natyrë që mund të kryhen, është vendi i preferuar për t’u çlodhur gjatë fundjavave dhe madje edhe gjatë javës, duke u argëtuar dhe duke u larguar nga kaosi i qytetit. Zona e parkut përfshin gjithashtu Pallatin e Brigadave, ndërtimi i të cilit filloi në 1936 dhe u përfundua në 1941 nga arkitekti fiorentin Gherardo Bosio.

Për të shpëtuar përkohësisht nga kaosi i Tiranës, Parku Kombëtar i Malit të Dajtit, që ndodhet 25 kilometra në lindje të qendrës së Tiranës, mund të arrihet me makinë, taksi ose me teleferikun Dajti Ekspress, më i gjati në Ballkan, i cili zgjat rreth 20 minuta.

Zona natyrore është një parajsë e vërtetë për entuziastët e aktiviteteve në natyrë, e këndshme në çdo stinë të vitit, por sidomos në pranverë, kur livadhet mbushen me lule dhe në vjeshtë, kur gjithçka merr tone të ngrohta. Parku i Aventurave të Dajtit është një park aventure për të rritur dhe fëmijë (nga 5 vjeç) i ndërtuar në zemër të pyllit midis shtigjeve, zip-lines dhe shtigjeve prej druri.

Çfarë duhet të bëni në Tiranë: Blloku, zona e jetës së natës

Në afërsi të parkut ndodhet Blloku, zona e jetës së natës në Tiranë, e njohur për baret dhe klubet e shumta. Nëse sot Blloku është vendi ku takohen të rinjtë në diskotekat dhe klubet e zonës, në vitet e diktaturës komuniste lagja ishte e rezervuar ekskluzivisht për elitën politike dhe nuk lejohej hyrja e të tjerëve.

Radio Bar, Nouvelle Vague dhe Antigua janë ndër vendet më të frekuentuara nga banorët e Tiranos dhe janë të njohur për koktejet e tyre të shkëlqyera, stilin e rafinuar dhe atmosferën e këndshme.

Zona është shumë e gjallë edhe nga pikëpamja kulturore: në pallatet e disa ndërtesave janë krijuar vepra të shumta të artit të rrugës nga artistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë dhe duke u endur nëpër rrugët e saj nuk është e rrallë të hasësh galeri të vogla arti, ku artistë bashkëkohorë shqiptarë ekspozojnë veprat e tyre (Galeria FAB është shumë aktive, në pronësi të Akademisë së Arteve në Tiranë).

Një tjetër vend i padiskutueshëm për të pasionuarit e jetës së natës është Kafe-Muzeumi i Komitetit, pranë Piramidës, një vend me objekte të epokës komuniste ku mund të provoni mbi 20 variacione të rakisë, një pije alkoolike e aromatizuar me origjinë otomane, tipike për të gjithë Ballkanin.

Pazari i Ri dhe Kalaja e Tiranës

Tregu i ri në Tiranë, Pazari i Ri, është rezultat i një rizhvillimi ambicioz që ka ripërtërirë pamjen e strukturës dhe të zonës përreth, e karakterizuar sot nga ndërtesa me fasada me ngjyra me motivet tradicionale gjeometrike të Ballkanit. Arkitektura moderne në qelq dhe çelik në tezgat e së cilës shiten fruta, perime, reçel, marmelatë dhe ushqime të ndryshme tipike shqiptare, është përuruar në vitin 2017.

Kalaja e Tiranës është vendi tjetër i preferuar për shopping. Brenda ka restorante, galeri arti, bare dhe dyqane artizanale ku shiten produkte lokale gastronomike dhe joushqimore.

Albastër në formë bunkeri, qilima tradicionale me modele gjeometrike, qeleshe, shalle mëndafshi, çanta të punuar me dorë, raki, vaj dhe verë, janë vetëm disa nga suveniret më të mira për t’u blerë si kujtim i një udhëtimi në Tiranë.

Burimi: ATA

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow