Bilali: Ndërtimi i Urës së Bunës, kosto dhe mundësite e shfrytëzimit - travelBIZ

Apr 13, 2023 - 18:28
 0  258
Bilali: Ndërtimi i Urës së Bunës, kosto dhe mundësite e shfrytëzimit - travelBIZ

Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali deklaroi sot se ndërtimi i Urës së Bunës, që lidh Ulqinin me Velipojën, do të shërbejë jo vetëm për uljen e distancës së udhëtimit ndërmjet dy vendeve, Shqipërisë dhe Malit të Zi, por do të jetë një mundësi shumë e mirë e shfrytëzimit të potencialeve natyrore të gjendura pranë.

“Statistikat tregojnë se gjatë sezonit turistik rreth 360 mijë turistë vizitojnë Velipojën dhe rreth 170 mijë Ulqinin. Rreth 34 km plazhe me rërë lidhen sot në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Murriqanit, me një distancë prej 73 km, ose 1.5 orë, ndërkohë, që distanca që mund të përshkruajnë turistët e vizitorët, si dhe komunitetet e dy zonave me ndërtimin e urës është vetëm 300 m, ose 5 minuta. Përmirësimi i lëvizshmërisë dhe aksesit përgjatë vijës bregdetare të Adriatikut, jo vetëm krijon një sinergji ndërmjet dy shteteve, por edhe do të mundësojë vlerësimin e aseteve të përbashkëta ndërkufitare të turizmit natyror në zonën e grykëderdhjes së lumit Buna dhe promovimin e zhvillimin të qëndrueshëm të turizmit”, tha Bilali.

Ndërmjet qeverive shqiptare dhe asaj malazeze, më 3 tetor 2018, është lidhur një deklaratë e përbashkët, e cila synon të mbështesë përpjekjet e përbashkëta për të përmirësuar aksesin në zonën ndërkufitare të zonave Pulaj, Velipojë, Shqipëri dhe Shën Nikollë, Ulqin, Mal i Zi, pasuar kjo me prezantimin në forumin për “Ballkanin e Hapur” në Ohër, në vitin 2022.

Zona ndërkufitare në grykëderdhjen e lumit Bunë përfaqëson një potencial të madh për zhvillimin ekonomik rajonal dhe zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, por që ende mbeten të pashfrytëzuara dhe të palidhura me njëra-tjetrën.

Duke iu referuar një studimi paraprak të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Bilali tha se kostoja për ndërtimin e urës llogaritet rreth 1.5 miliardë lekë.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow