Rama: Dy portet e reja, Durrësi do të renditet ndër destinacionet më të kërkuara në Mesdhe - travelBIZ
Kryeministri Edi Rama deklaroi në çelje të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit në Durrës, se investimet në dy portet e reja, atë turistik dhe atë tregtar, do ta kthejnë Durrësin në një destinacion ndër më të kërkuar në Mesdhe.
“Potenciali i Durrësit është i jashtëzakonshëm dhe me investimet e reja masive që ne po bëjmë dhe do vazhdojmë të bëjmë, Durrësi do të ketë një transformim të jashtëzakonshëm rrënjësor dhe do të kthehet realisht në një destinacion ndër më të kërkuarit në Mesdhe”, tha Rama.
“Kjo do të thotë që do të rriten pa diskutim mundësitë për punë, por jo vetëm do të rriten mundësitë për punë, por do të kemi punë shumë më të mirë paguara”, u shpreh Rama.
“Këtu në Durrës janë dy porte, dy porte kyçe për turizmin dhe për tregtinë. Porti i ri turistik këtu pranë dhe porti i ri tregtar në Porto Romano. Për të dyja këto porte ne jemi në proces. Me portin turistik ka filluar të vendoset baza e kantierit dhe do të fillojnë së shpejti intensivisht punimet, s’ka më pengesa”, theksoi Rama.
“Me portin tregtar jemi në fazën e garës ndërkombëtare. Është një projekt jashtëzakonisht ambicioz, për ta bërë Durrësin një portë hyrëse për tregtinë e të gjithë rajonit tonë. Siç e dini, në portin e Porto Romanos kemi edhe një përmasë tjetër, një përmasë ushtarake për të krijuar një bazë operacionale navale të NATO-s në njërin krah të portit. Jemi duke punuar dhe për këtë”, tha Rama.
What's Your Reaction?