Kumbaro vizitë zyrtare në Athinë: Marrëveshje bashkëpunimi për parkun ndërkufitar Vjosa−Aoos dhe forumin e turizmit në Tiranë
Kumbaro vizitë zyrtare në Athinë: Marrëveshje bashkëpunimi për parkun ndërkufitar Vjosa−Aoos dhe forumin e turizmit në Tiranë
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro pati një vizitë zyrtare dyditore në Athinë ku në fokus ishte projekti i parkut ndërkufitar ‘Vjosa−Aoos’ dhe bashkëpunimi midis dy vendeve në programe për turizmin.
Gjatë takimit me ministrin e Mjedisit dhe Energjisë Kostas Skrekas, ministrja Kumbaro e informoi për hapat e ndërmarrë nga Shqipëria për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar dhe propozoi bashkëpunimin për parkun ndërkufitar mes dy vendeve.
“Parku ndërkufitar Vjosa−Aoos do t’i jepte mbrojtje të plotë 272 kilometrave të lumit nga burimi në malet e Pindit në Greqi deri në grykëderdhjen në bregdetin tonë të Adriatikut, model unik i ruajtjes së biodiversitetit, pa dyshim simbol i fqinjësisë së mirë mes vendeve tona, me promovim të përbashkët dhe njëkohësisht me mundësi për një turizëm të qëndrueshëm”, tha Kumbaro.
Së shpejti, kjo iniciativë e përbashkët mes dy vendeve do të zyrtarizohet përmes një ‘Memorandumi Mirëkuptimi’ mes dy ministrive dhe do të ngrihet grupi i përbashkët i punës për planin e menaxhimit dhe shpalljen park ndërkufitar.
Ministrja Kumbaro pati një takim edhe me homologun grek Vassilis Kikilias për nënshkrimin e fillimit të një programi të përbashkët pune mes dy ministrive.
“Nisim me formimin e një komiteti me anëtarë nga Shqipëri e Greqia përmes të cilit organizojmë forumin teknik mbi turizmin në Tiranë, që i jep jetë promovimit të përbashkët të destinacioneve për tregjet e largëta, shkëmbimin e dijeve, bashkëpunim për pjesëmarrjet në panaire dhe evente të rëndësishme dhe sigurisht angazhime të koordinuara në institucione ndërkombëtare që nga Organizata Botërore e Turizmit dhe tek të gjitha iniciativat rajonale”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Gjatë vizitës në kryeqytetin helen, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit u takua edhe me kryetarin e bashkisë Kostas Bakoyannis për të shkëmbyer përvoja mbi turizmin e qëndrueshëm dhe promovuar mundësi të reja e reciproke shkëmbimi mes dy vendeve, me Presidenten e Organizatës Kombëtare të Turizmit Angela Gerekou dhe drejtues të shoqatave turistike greke mbi promovimin e Shqipërisë.
What's Your Reaction?